Schweiz Zvicra Suisse Svizzera Switzerland
  Përse të zgjedh drurin?

 1. Druri është i bukur
 2. Druri merr formë
 3. Druri nxit risitë
 4. Druri është praktik
 5. Druri është ekonomik
 6. Druri ka jetëgjatësi
 7. Druri është i sigurt
 8. Druri është komod
 9. Druri është ekologjik
10. Druri është i kombinueshëm


1. Druri është i bukur
Druri, një element natyror, është përjetësisht i bukur, pasi ai prek shqisat tona, ka jetë dhe është i ngrohtë. Vetëm natyra mund të krijojë diçka kaq të veçantë në larminë e ngjyrave dhe të strukturës. Qoftë i vetëm, apo i ndërthurur me materiale të tjera, druri është i bukur dhe koha që kalon, veç ia shton këtë bukuri. Se sa miklues mund të jetë alternimi i sipërfaqeve të lëmuara dhe të ftohta me gjallërinë e drurit, këtë e tregojnë shumë shembuj të historisë së arkitekturës, dhe pikërisht në ditët e sotme, arkitektët e rizbuluan atë, si një material sensual dhe kuptimplotë, që i përgjigjet mrekullisht kohës.

Druri është i bukur
"Smallhouse" Bauart
Foto Andreas Greber, Hasle-Rüegsau, CHtop


2. Druri merr formë
Druri krijon mundësinë për një hapësirë të gjerë krijuese. Elasticiteti i tij dhe kapaciteti shumë i lartë mbajtës, në raport me peshën që ka, e bëjnë atë një material ndërtimi ideal për një arkitekturë të jashtëzakonshme.
I punuar me ngjitje, përdorimi i tij mund të shtrihet në ndërtime, të cilat, deri më sot kryheshin vetëm me profile hekuri, duke patur avantazhin se merr pothuajse çdo formë.

Druri merr formë
Shkollë në Wohlen, CH, BMS dhe Calatrava
Foto Hans Ege, Luzern/Lignum, CHtop


3. Druri nxit risitë
Shkenca hulumton vetitë e lëndës së parë në përkulje dhe thyerje që prej dhjetëra vjetësh. Metoda përherë e më të reja dhe më të përmirësuara të përpunimit provohen, patentohen dhe vihen në përdorim. Dhe gjatë praktikave të tyre studiuesit mësojnë shumë prej natyrës së vetë drurit, pasi ai ka një strukturë mbajtëse çuditërisht rentable dhe inteligjente. Përgjatë fijeve përballon 4 herë më shumë peshë sesa tërthorë dhe provat tregojnë se mund t'ia kalojë madje edhe betonit me kapacitetin e tij mbajtës.
Risi teknike paraqiten edhe në fushën e mbrojtjes nga zjarri, të mbrojtjes nga zhurmat dhe të termoizolimit. Zhvillimi i vazhdueshëm teknik i elementeve perimetrale, e bën ndërtimin me dru një pararendës të përdorimit me efiçiencë të energjisë.

Druri nxit risitë
Palestër, Villaz-St-Pierre FR, CH
Foto Corinne Cuendet, Clarens/Lignum, CHtop


4. Druri është praktik
Mënyra e ndërtimit me elemente dhe me module lejon montimin në kantier të pjesëve të parapërgatitura. Elemente muri dhe tavani, duke përfshirë termoizolomin dhe instalimet elektrosanitare mund të parapërgatiten tashmë që në ofiçinë. Kështu, një ndërtesë e përbërë prej disa katesh mund të montohet brenda një kohe të shkurtër. Kusht për këtë është një planifikim i kujdesshëm.
Edhe shtëpitë private mund të ndërtohen në këtë mënyrë, por një ndërtim i tillë nuk duhet parë si një shtëpi e gatshme katalogu. Avantazhi këtu është se, në ndryshim me një shtëpi katalogu, investuesi mund të vendosë vetë, së bashku me arkitektin, për të gjitha detajet.

Druri është praktik
"Modular Office Schindler", Ebikon, CH
Foto Hans Ege, Luzern/Lignum, CHtop


5. Druri është ekonomik
Kush bën ndërtime me dru kursen shpenzime në kantier dhe në mirëmbajtje. Parapërgatitja shkurton kohën e ndërtimit, kursen instalimet e kushtueshme në kantjerin e ndërtimit dhe, jo së fundi, pakëson edhe interesat e bankës. Veç kësaj, në ndërtimet me dru nevojiten më pak themele, gjë me vlerë kjo, kur toka në të cilën do të hidhen themelet është e vështirë.
Ndërtimet me dru kursejnë, gjithashtu, në mirëmbajtje, në riparime dhe në modifikimet e mundshme. Pjesët me defekt mund të zëvendësohen me lehtësi, dhe muri i përbërë nga shtresa lehtëson ndërhyrjen në tubacione dhe në instalime. Ndërtimet me dru arrijnë shumë shpejtë normat e ruajtjes së nxehtësisë, madje i tejkalojnë ato. Në këtë mënyrë mund të kursehen deri në 50% të shpenzimeve të ngrohjes së mjedisit.

Druri është ekonomik
"SWOOD", Biel/Bienne, CH, Meili & Peter
Foto Hans Ege, Luzern/Lignum, CHtop


6. Druri ka jetëgjatësi
Ndërtimet me dru kanë jetëgjatësi të pakufizuar - kusht i vetëm është të trajtohen. Masa më e rëndësishme, sidomos në fasadat prej druri është mbrojtja nga lagështia. Mbrojtje konstruktive është një çati e gjerë, si dhe ruajtja e xokolit nga stërkalat e ujit. Në këtë mënyrë, edhe një fasadë e patrajtuar mund t'u bëjë ballë shekujve. Era dhe koha lenë aty gjurmët e tyre, por jetëgjatësia mbetet.

Druri ka jetëgjatësi
Stallë e vjetër, Vals GR, CH
Foto Michael Meuter, Lignumtop


7. Druri është i sigurt
Është e vërtetë: druri digjet mirë. Por, në saje të përmbajtjes së lagështisë, ka një koeficient të ulët të përçimit të nxehtësisë, gjë që ndikon në djegien e ngadaltë të tij. Në varësi të përmasave, druri e ruan aftësinë e vet mbajtëse më gjatë se betoni dhe hekuri. Dhe për paradoks: një ndërtim me dru ofron mbrojtje më të sigurt nga zjarri sesa ndërtimet masive. Kusht për këtë janë masat përkatëse të sigurisë, ndarjet kundër zjarrit dhe tavanet me konstruksion që i rezistojnë atij.

Druri është i sigurt
"Mobilje banimi", NRS, Cham, CH
Foto NRS, Cham/Lignum, CHtop


8. Druri është komod
Konstruksioni i elementeve perimetrale (fasada, dyshemeja, tavani/çatia) luan një rol të rëndësishëm në komoditetin e hapësirave të banimit dhe të punës në një shtëpi. Druri është i shëndetshëm për njeriun dhe natyrën, pasi, një mur prej druri merr frymë, ekuilibron lagështinë në mjedisin e brendshëm dhe mundëson një klimë të këndshme, si në dimër, ashtu edhe në verë.
E megjithatë, një shtëpi prej druri nuk është e thënë të duket si e tillë. Por, edhe nëse në hapësirat e brendshme sundojnë ngjyrat e ftohta, ndihet bukur rrezatimi i ngrohtë i sipërfaqeve.

Druri është komod
Shtëpi diellore pasive "Sunny Woods"
Foto Beat Kämpfen/Lignum, CHtop


9. Druri është ekologjik
Druri harxhon energji minimale, si gjatë kohës së ndërtimit, të përdorimit, ashtu edhe gjatë çmontimit. Vendimtare nuk është vetëm sasia e energjisë, që nevojitet për ngrohjen e ndërtesës, por edhe energjia gri, që harxhohet për prodhimin, transportin dhe përpunimin në kantier. Rrugët e shkurtra të transportit, pesha e lehtë dhe energjia minimale për përpunimin e tij, e bëjnë drurin një lëndë ndërtimi ekologjike të klasit të parë. Kush ndërton me dru, ndërton për të ardhmen!
Mbrojtja e burimeve natyrore nuk është vetëm në fushën e ndërtimit një faktor thelbësor. Përparësia e tyre fiton përherë e më tepër rëndësi edhe në shoqërinë tonë. Në të ardhmen, ndërtimet që përfshijnë aspektin ekologjik do të kenë prioritet në treg. Investuesit, ndërtuesit dhe arkitektët, duke zgjedhur ndërtimin me dru, dallohen si ndërmarrje pararojë dhe me përgjegjësi.

Druri është ekologjik
Ngjitje me dhëmbëza
Foto Schmölzer, proHolz Austri/Lignumtop


10. Druri është i kombinueshëm
Druri mund të përdoret në mënyrë efiçiente edhe në kombinim me hekurin apo me betonin. Pikërisht për mbrojtjen e ndërtesave nga zjarri, specialistët po i drejtohen ndërthurjes së lëndëve minerale me dru. Në këtë mënyrë, ndërtimi me dru i ka të gjitha perspektivat të hapura...

Druri është i kombinueshëm
Shtëpi private, Blickensdorf/Baar, CH
Foto Hannes Henz/Lignum, CHtop
 
   
Home

Oferta
> Ndërtime druri
Kontakt
 
Shqipëri Albanien Albanie Albania